
nga Nikos Kavadhias
Boleronë e valëvite në erë për pak,
brezin portokalli, pastaj, e tunde lart.
Më duket ishte gusht, nuk ishte ajo kohë
kur bylyk kryqtarët marshonin për larg.
S’andejmi zinin rrugë galerat e vdekjes,
flamujt ndiqnin erën, i bënin shoqëri.
Duarlidhur rri plaku, ngroh herdhet në diell,
foshnjat rrëqethen me buzët në gji.
Ullinjtë ngazëlleheshin shullëhur në diell,
kryqe të vegjël mbinë kopshteve përreth.
Në mësallë kur të sollën, evgjit[3], të mbështjellë,
krahët prisnin nderë, shterpë, ato net.
Cigan, o imzot, ç’stoli të ka ënda?
Sill qyrkun e Mauritanisë, atë ngjyrë purpuri.
Pas murit të Qesarianisë[4] na vunë në rresht
dhe arkën e zgjatën sa shtati i një burri.
Përmbys vark’ e kënetës, hollake, pa karenë.
Në shpellën e ciganëve koha veglat bren.
Luzmë korbash enden mbi të shkretën arenë,
kurse në fshat natën vikasin veç shtatë qen.
Në ditëvdekjen e F. G. Lorca-s, 19 gusht të motit 2020, përfundoi përkthimin pas 10 vitesh përpjekje: Sokol Çunga
Poezia e mësipërme, kompozuar nga Thankos Mikroutsikos, kënduar nga Vasilis Papakonstandinou:
https://www.youtube.com/watch?v=30dF2Fv_GcA
[1] Bëhet fjalë për 11 punët e piktorit spanjoll Pablo Picasso, ku paraqitet një dem në pozicione të ndryshme (shënimet janë të përkthyesit).
[2] Nga italishtja traverso: kurs i detyruar i anijes në drejtim të kundërt me erën, kur deti është fort i trazuar, për të shmangur goditjen e dallgëve në brinjë.
[3] Pas botimit të përmbledhjes me poezi Romancero gitano (1928) Lorka mori nofkën “poeti cigan / evgjit”.
[4] Muri i Qesarianisë: poligon qitjeje në një lagje të Athinës, vend ekzekutimi për antinazistët gjatë LIIB. Më 1 maj 1944 nazistët pushkatuan 200 komunistë grekë në shenjë dënimi për vrasjen e një gjenerali nazist.
[5] Qytet në prefekturën e Beotisë, Greqi, ku më 10 korrik 1944 Batalioni Alpin kreu një nga masakrat më të përgjakshme në Greqi, duke ekzekutuar 228 burra, gra, pleq e fëmijë nga Distomi, dhe 600 persona në gjithë zonën. Ishte i njëjti batalion që më 6 korrik 1943 kreu masakrën e Borovës në Shqipëri duke lënë pas 107 viktima.
[6] Ripërdorim i rrëfenjës së Ungjijve, kur Krishtit në kryq i zgjasin ujë përzier me uthull.