Aristeneti – Letrat erotike

I.2. Vashat në garë për dashurinë e një djaloshi

Dje në mbrëmje po ia thosha këngës në një rrugicë të ngushtë, kur m’u afruan dy vasha buzëqeshur, me hiret e Erosit në vështrim. Vetëm në numër mbeteshin pas Hireve[1]. Dukej se vashat, krejt të pafajshme, ishin në garë mes tyre, dhe më ngjau se nuk shtireshin, kur më pyetën: “Meqenëse me këto këngët e tua të bukura shigjetat e frikshme të Erosit i ngule brenda nesh, thuana, në emër të asaj melodie të ëmbël, që mbushi dashuri veshët dhe shpirtrat tanë, thuana, për hir të cilës këndon? Sepse çdonjëra nga ne pohon se ajo është e dashura jote. Na hyri zilia dhe po grindemi për hirin tënd, shumë herë jemi kapur për flokësh mes nesh.” U thashë: “Të dyja jeni njësoj të bukura, por asnjëra prej jush s’ma ka ndezur pasionin. Shkoni, tani, o vasha, lërini ndasitë dhe reshtini debatet. Një tjetër dashuroj, për tej ajo shkoj.” Më thanë: “Asnjë vajzë tjetër më të pashme s’ka kjo mëhallë, si na thua se tjetër dashuron? Gënjeshtra po thua, pa dyshim. Betohu se pasionin s’ta ndez asnjëra prej nesh!” Qesha, atëherë, dhe u thashë: “E në mos daça, me përdhunë do të më bëni të betohem?” M’u gjegjën: “Me vështirësi gjetëm kohën e përshtatshme, zbritëm dhe të takuam, kurse ti tallesh me ne! Jo, s’të lëmë të shkosh, as shpresën e madhe që kemi s’na e mbyt dot!” Dhe, duke më thënë këto fjalë, zunë më tërhiqnin pas vetes. Kurse unë, me shumë kënaqësi, e pranova atë përdhunë. Deri këtu, kjo ngjarje është e mirë dhe e dobishme për të gjithë. Por, sa më tutje, po e përmbledh duke thënë vetëm se, si gjeta një dhomë të rastit, e përshtatshme për rrethanat, asnjërën prej vashave s’e lashë të ankohej.

I.16. Një burrë s’rrëfeu afshin q’e digjte. Pastaj, si shijoi, me gëzim një miku i shkroi.

Lambria për Filipidhin

Rashë në dashuri të parrëfyeshme, dhe n’atë qorrsokak thosha me vete: “Askush tjetër s’e di atë shigjetë që më shpoi zemrën, veç teje, që më plagose, dhe nëna jote që të ka stërvitur mirë në këto punë. Askujt s’ia rrëfej dot afshin. E natyrshme është që dashuria e fshehtë, që s’rrëfehet, më e fortë bëhet. E vërtetë është se pesha e çdo mërzie që mundon shpirtin, lehtësohet kur e rrëfejmë. Po ti, Eros, që më ke plagosur shpirtin, me të njëjtën goditje ngule shigjetën edhe tek e dashura ime, apo, ndoshta pak më butë, që dhimbja të mos ia prishë bukurinë.”

            […] menjëherë u njoftua mbërritja ime, futem brenda ta ngjatjetoj. Teksa e dashura zë kuvendon, fjalët e saj i shoqërojnë hiret, kundërmimet e parfumeve të saj dhe vështrimet e ndrojtura që çmendin krejtësisht të dashuruarin kokë e këmbë. I pashë skajet e duarve dhe të këmbëve të saj, shenja të shkëlqyera të bukurisë, pashë fytyrën e saj të bukur; ia pashë edhe gjinjtë, aq sa ishin të dukshëm. Por s’e pata guximin të rrëfeja afshin. Pëshpërita, ashtu, me zor, si nëpër buzë: “Ti pra, o Eros – se vetëm ti mundesh – bëje ta kërkojë ajo e para, të më tërheqë e të më çojë drejt shtratit”. Sa pa mbaruar mirë këto fjalë, tek i lutesha Erosit të plotfuqishëm, ai më dëgjoi dhe ma përmbushi lutjen. Ajo më mori dorën dhe zuri të më ledhatonte gishtat, duke m’i shtendosur butë nyjat e gishtërinjve. Qeshi ëmbëlsisht, dhe vështrimi i saj shpërfaqte një grua me dëshirë të zjarrtë; ai vështrim, më parë i qashtër, u bë, papritmas, dashuror. E dehur nga dëshira e dashurisë, më zuri për qafe dhe më tërhoqi nga vetja, duke më puthur gjithë epsh, saqë me vështirësi i shqita buzët prej saj, bashkë me plagët e kafshimeve që më pat lënë. Kur buzët e saj u hapën ngadalë, një frymë e erëndshme, që s’mbetej prapa parfumeve, m’u ngjit deri në shpirt. Sa për vijimin – ti, sigurisht, e di se ç’është vijimi – kuptoje vetë, i dashur mik, pa qenë nevoja të jap shpjegime të tepërta. Do të të them vetëm se u ndeshëm me njëri-tjetrin, gjithë natën, se kush nga ne të dy do të dëftente më shumë epsh! Dhe tek rrinim përqafuar, duke shkëmbyer fjalë dashurie, fjalët – nga epshi – u shuan gjysmë të mbaruara…

Aristeneti njihet si autori i pesëdhjetë letrave erotike, por mbetet i panjohur si person historik. Nga konteksti i teksteve, duket se ka jetuar në Konstandinopojë diku në shek. IV-V (pas K.). Autori mund dhe të mos jetë fare një person, mund dhe të mos quhet fare Aristenet, teksa ky emër haset vetëm në letrën e parë të dorëshkrimit prej pesëdhjetë letrash. Tekstet e emërtuara si “Letrat Erotike të Aristenetit” janë shkruar në greqishte klasike dhe ruhen në Bibliotekën Kombëtare të Vienës, në dorëshkrimin Vindobonensis philologicus graecus 310, pajisur me një hyrje të shkurtër dhe ndarë në dy libra, nga të cilët i pari përmban 28 dhe i dyti 22 letra. Janë shkruar në pergamenë dhe kopja që ruhet daton në shek. XII-XIII. Editio princeps u bë prej humanistit hungarez János Zsámboky (njohur si Johannes Sambucus, 1531-1584) dhe u shtyp në Antwerp më 1556. Letrat janë përkthyer dhe botuar në latinisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe kanë patur jehonë të madhe mes filologëve, shkrimtarëve dhe klerikëve. Teksa rregullat e jetës, të paktën nga Antikiteti i Vonë e këtej, i ka diktuar, kryesisht, krishterimi, Aristeneti kthen sytë nga Greqia e lashtë dhe himnon dashurinë jashtëmartesore dhe kënaqësinë e së ndaluarës.

Në mos u gjettë tjetër përkthim i mëparshëm në shqip, ky i bie të jetë i pari.

Përktheu nga origjinali dhe përgatiti: © Sokol Çunga

Bibliografi:

Βερτουδάκης, Βασίλειος Π. (Εἰσαγωγή – Κείμενο – Μετάφραση – Σχόλια): Ἀρισταίνετος Ἐρωτικαὶ Ἐπιστολαὶ, Εκδόσεις Gutenberg, bot. II, 2019, fq. 80; 134-136.


[1] Hiret (Charites): janë zakonisht tre figurat mitologjike Thalia, Erinia dhe Semeli. Janë hyjnesha të hireve, bukurisë, natyrës, krijimtarisë, bujarisë dhe pjellorisë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s