Marios Hakas – Bideja

Marios Hakas

Bideja

Kemi ngrënë veten me dhëmbë pa e marrë vesh përse. Ajo banjoja luksoze, me kalin e detit si shqyt nëpër pllaka, rosa me rosakët që i vijnë rrotull, mjellmat dhe peshqit e Parrizit, lavamani, pllaka e dushit, vaska, bideja, parabideja, të gjitha vezulluese, e kanë bërë punën e tyre tinëz, na kanë brejtur nga brenda si termite, si tenja drurin, dhe tani ndjehemi bosh.

Më kujtohet kur erdha për herë të parë nga provinca në Athinë dhe mora me qira një dhomë pa banjë. Sigurisht, kishim një hale provizore në oborr, por për të shkuar atje duhej të zbrisja, në mes të territ, nëpër një shkallë druri që krakëllinte dhe çonte dynjanë më këmbë. Një mbrëmje me shi, kur më preu keq, i kreva nevojat mbi një gazetë dhe, si e paketova mirë e bukur, madje edhe kordele me fjongo i vura, e lashë në mes të rrugës tek shkoja në mëngjes për në punë. Do ta mbani mend, me siguri, sa shpesh hasnit nëpër rrugë nga këto lloj pakosh dikur. Ca njerëz edhe u binin me shkelm, për të zbuluar përmbajtjen. Thonë se dikush çoi një nga këto pako në rajonin e policisë, pa e hapur, dhe kërkonte shpërblimin që i takonte. Ja, një pako të atillë bëra dikur edhe unë, e më vjen për të qeshur edhe sot, pas gjithë këtyre viteve.

Ato vite isha njeri që e merrja jetën me qejf, kisha fare pak nevoja. Rruhesha vetëm dy herë në javë, sa herë kisha takim në kodrinë me një vajzë që gjithnjë ngutej të kthehej në shtëpi. Herë pas here nuk vinte fare, dhe kishte një vëlla të rreptë, me mendësi siciliani. U martova me të. Ç’të bëja? Më mirë kështu, se të hante përdaf sa herë vonohej. Nga ana tjetër, ky është misioni i njeriut në jetë, apo, të paktën, kështu thonë. Sidoqoftë, si ashtu, si kështu, m’u kopsit mirë puna, se ka, në këtë mes, dhe një të mirë, është një lloj sigurie dhe martesa. Këmishë të hekurosura, dikur në fillim, ndërresa të pastra, këpucë të lustruara, krrëk, kur thonë.

Kishte shtëpi të vetën ime shoqe, një dhomë vetëm, por me oborr të madh dhe, dalë nga dalë, me ca kursime, ndërtuam një kuzhinë dhe ca dhoma të tjera. Në përgjithësi, bëmë përpjetë. Blemë frigorifer, lavatriçe, jeta bëhej gjithnjë dhe më e rehatshme.

Vetëm me banjën u vonuam ca. Në fund të oborrit, në një barangë, kishim një banjë allaturka, që çdo mëngjes më bënte të ulesha në bisht, ushtrim i mirë ky, meqë nuk e kisha zakon të merresha me gjimnastikë. Brenda në barangë ishte dhe një muslluk, që e mbushja çdo mëngjes, dhe lahesha. Banjë bëja në govatë. Çdo të shtunë më darkë fillonte axheleja. Ime shoqe më fuste në govatë dhe më fërkonte, deri sa më rripte. Nejse.

Progresi vazhdonte. Isha ndihmës llogaritar dhe ende shlyeja borxhet e dhomës së gjumit, një mobilie e rëndë me komodina që kishin një abazhur të vogël përmbi, bojëqielli imi, rozë i zonjës. Më vonë u bëra llogaritar, kohë në të cilën blemë me këste një truall të vogël. Mbollëm edhe dy-tre pemë, të cilat, në fillim, meqë këmbëngulte ime shoqe, shkonim t’i ujisnim çdo të diel. Më vonë pemët u thanë, punët na u shtuan, isha bërë kryellogaritar, rroga e majme dhe, pas ca vitesh, shtëpia u kompletua, përveç banjës. Mbeti si kurorëzim i një përpjekjeje njëzetvjeçare.

“Do t’i vijë radha edhe banjës”, i thosha sime shoqeje që gjithmonë grindej, ankohej, se mos vinte njeri për vizitë, se mos ka nevojë të shkojë në banjë, dhe sime shoqeje i bie hunda. Në fund të fundit, ç’punë e madhe mund të ishte banja, këtu ku kemi arritur? Bishti i gomares. Ashtu sikundër përpiqemi me ç’do kusht t’i bëjmë me sa më shumë merak ato gjëra që bëhen një herë në jetë, kështu dhe në rastin e banjës mora të gjitha masat që të dilte gjë e bukur: vura pllaka shumë të shtrenjta që krijonin një kompleks të çuditshëm me pamje të ndryshme, në mënyrë që të këndellesha në atë vend, vura të gjitha pjesët hidro-sanitare dhe, sigurisht, bide.

Pjesët e tjera nuk më prishnin punë. Të bëhet si të bëhet, janë të nevojshme, thashë dhe, në këtë moshë që jemi, na takon të shijomë ca rehatllëk. Vetëm bideja m’u mërzit, e për faj të saj, edhe të tjerat. Bideja. Sepse, meqë vuaj nga kapsllëku, tek rrija dhe e vështroja para meje për goxha kohë, m’u duk sikur më tallte me atë fytyrë stërgjatëshe, një sy blu, një sy i kuq, të dy në formë trekëndëshi dhe të dalë mbi ballë, si sy bretkose, me gojën gjiriz, që përpinte gjithçka me një gurgullimë të beftë tek mbaronte uji, thua se mërmëriste: E sheh ku të katandisa? Të kujtohet kur erdhe për herë të parë nga fshati, ç’kapedan me yll në ballë që ishe? Ç’të zuri kështu, o i gjorë, ke një jetë që ndërton këtë shtëpi? Unë jam trofeu i njëzet viteve punë. Që të lahesh nga poshtë. E sheh ku të solla?

Njëzet vite, kokërr më kokërr, kisha hyrë në zgjedhë me dëshirën time (kjo është më e keqja), që të përfundoj këtu, para një rreshti me sende, sipas meje, të padobishme, apo, edhe në janë të dobishme, që i marrtë plumbi, s’kanë aq vlerë sa ajo që quhet jetë dhe rini. Vitet më të bukur i çova dëm tek mbaja, si milingona, gjithë sendet që ka në këtë shtëpi, për të bërë, më në fund, këtë bide, që më përpiu me grykën e gjirizit të vet njëzet vite, dhe tani mbeta si limon i shtrydhur, me fytyrë të varur e të thatë. Për një bide.

Duke menduar këto, shtypa galixhanin dhe iu afrova dritares, të merrja ajër, të dëgjoja tingullin e qytetit. Kudo dëgjohej një zhurmë e çuditshme. Nuk ishte zhurma e njohur e makinave. Ishte tjetërlloj: një pllaquritje e vazhdueshme mbulonte çdo tingull tjetër. Mbajta vesh, dhe kuptova. E gjithë gropa e Atikës ishte kthyer në një bide gjigante, ishim ulur të gjithë mbi të, laheshim, laheshim e laheshim, ndërkohë që qindra mijëra galixhanë, duke derdhur katarakte uji, përshëndesnin progresin tonë.

 

Shqipëroi: Sokol Çunga

(© i shqipërimit: Sokol Çunga)

[Μάριος Χάκκας, Άπαντα, Κέδρος, Αθήνα 1978, σ. 259-263].

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s