Vasilis Vasilikos – Honeymoon Killers

Vasilis VASILIKOS

Honeymoon Killers

[Botuar në: Mehr Licht!. – Nr. 25, prill, 2005, f. 99 – 101.]

Zonja ishte mësuar të pinte gjak të freskët, të ëmbël. Kjo ia zgjaste jetën, i jepte forcë për sprovat që kalonte. Kosta dhe Aliçja ishin një çift i varfër të dashuruarish.

Zonja i besonte gjithpushtetshmërisë së saj. Asgjë dhe askush nuk e kishte kundërshtuar deri tani. Edhe Kosta do të binte.

Kosta ishte piktor, xhepshpuar. Aliçja merrej me poçari. Ditët i shtynin me vështirësi të mëdha. Kështu, kur Zonja i kërkoi Kostës t’i bënte një portret, ky ngurroi. Por Aliçja i tha:

– Shko. Do të të vardiset, e di. Po ti thuaji përrallën e njohur se nuk më do. Vëre në lojë.

– Po ajo më kall krrupën!

– Po ngordhim për bukë, i dashur. Po ti, nëse më dashuron… më sill atë peliçen e saj me lëkurë kunadheje.

Me gjysmë zemre, Kosta u nis për seancën e parë.

Mori një kanavacë, kavaletën dhe shkoi në shtëpinë e Zonjës, jashtë qytetit.

Zonja nuk ishte aspak e pasjellë. Donte ndjenjë. Kënaqej më shumë kur provokonte zilinë e një gruaje tjetër, kur e bënte të vuante, sesa po t’i flinte me të shoqin. Kosta e luajti aq sa diti. Bëri artistin melankolik që nuk kuptohet nga e shoqja.

– Po edhe ajo artise është, si nuk shkoni? Mos më zhgënje. Unë ju mbaja për çiftin më të dashuruar në botë!

– Fatkeqësisht, punët nuk janë siç duken, – dhe hidhte penelat e parë në kanavacë. – Martesa…

– Mos e zër fare me gojë, – i tha Zonja. – Edhe unë kam përvojë të hidhur nga katër martesa. E di ç’do të thotë!

– Ç’kishte veshur, – e pyeti Aliçja mbërmjen e parë, sapo u kthye.

– Një rrobë dhome. E heq veten edhe për të bukur, rrangalla! – dhe, me një ndjenjë neverie, shkoi të lante duart nga bojërat.

– Bëj sikur e admiron, sikur ajo është e veçantë për ty, sikur pranë saj ndihesh ndryshe.

Kosta sa shkonte dhe bëhej edhe më romantik me Zonjën.

– Pasnesër kam një pritje, – i tha ajo. – Ju pres të vini të dy. Dua ta njoh atë gruan tënde të gjorë.

Aliçja shkoi në pritje e veshur për ibret dhe u ul në një qoshe duke shfletuar revista. Hiqej si indiferente karshi Kostës. Zonja, përkundrazi, triumfonte! E mbante për krahu, si favorit të sajin dhe e paraqiste tek të ftuar të ndryshëm si Mikelanxhelon e ri. “Të gjithë këta”, i pëshpëriti në vesh, tek shkëlqente mes diamanteve, “janë persona shumë të rëndësishëm. Mbështetës të nesërm të tutë”.

– A e kupton se nuk e shtyj dot më?

– Mundesh, – i tha Aliçja.

– Po më nxjerr në semafor?

– Po!

E lante, e vishte dhe ia shërbente Zonjës të konservuar.

– Duhet të ndaheni, – i tha Zonja të nesërmen, pas pritjes. – E shihja dje të gjorën, rrinte kaq e trishtuar, si jetime. Lëre të lirë. Është ende e re, do ta ndreqë vetë jetën e saj.

– Po e mendoj, – i tha Kosta. – Po e mendoj seriozisht.

– Mos e mendo. Bëje! E la pozën dhe iu afrua. – Ke talent, je i ri, je i pashëm, do të bësh përpara. Detyrimet të pengojnë.

U përkul dhe e kafshoi në qafë. Thithi pak gjak.

Aliçja ia ledhatonte ëmbël shenjën në qafë. Shqetësohej që portreti po zgjaste kaq shumë.

Loja ishte e vështirë, se edhe i shoqi i Zonjës i kishte rënë hilesë.

Fatkeqësisht, njëri nga të dy çiftet do të humbiste.

I shoqi bënte sikur nuk i vinte re flirtet e të shoqes, që ta kishte kohën të lirë për dashnoret e veta.

Loja dukej e vështirë, e ashpër.

– Ajo të kafshon! – shpërtheu një herë Kosta.

– Tani do t’i shesësh përrallën e nënës së sëmurë, të cilën nuk ke para ta çosh në spital.

– Je djallogrua, – i tha. – Prandaj dhe më pëlqen.

Historia e nënës së sëmurë, të cilën nuk kishte para ta çonte në spital, zuri dhe Kosta u kthye duarplot. Atë mbrëmje e festuan me miqtë. I çuan në Pashaliman dhe pastaj nëpër buzuqe.

– Erdhi koha të më sjellësh peliçen, – i tha.

Fillimisht, Kosta pikasi peliçen në dhomën e saj të gjumit. Kur mbaroi portretin dhe shkoi të merrte pagesën nga i shoqi në zyrën e tij (kishte një kat të tërë në Sheshin e Kushtetutës), ai i tha:

– Portreti që i bëtë është vërtetë i mrekullueshëm. Shpresoj, tani që mbaruat, të mos ju humbasim.

Dhe i dha një çek të majmë.

– Si do t’ia zhvatim, Aliçe?

– Me metodën e hipnozës, – i tha ajo.

Ndezi dy shkopinj indianë, nga ata që ndezin që të mos ndihet era e hashashit, dhe zuri të luante në errësirë: majat e zjarrta krijonin forma të çuditshme, teta (8), gjashta (6), rrathë, ameba, valë. I dha edhe dy hape për kollë.

– Do t’i thuash se është bar, do t’ia japësh t’i pijë, dhe ajo ka për t’u trullosur. Pastaj bëji këtë stilin me shkopinjtë. Por duhet që dhoma të jetë në errësirë të plotë.

Atë natë priste me ankth të kthehej. Sa më shumë vonohej, aq më shumë pendohej. Aty nga dhjeta Kosta u kthye me peliçen. Aliçja ia mori nga duart, u zhvesh dhe e veshi lakuriqe. Pastaj u lëshuan në shtrat. Të pangopur. Me gjithë peliçe. As kur gdhiu nuk e kishin ngopur gëzimin e egër mishtor.

– Herën tjetër do të dal unë në semafor, – i tha ajo.

Që mëngjesin tjetër u nisën për rrugë. Para kishin. Ajo kishte peliçen. A nuk bën ftohtë në Europë?

E vetmja gjë që ia kujtonte ende atë histori të dhimbshme ishte gërvishtja në qafën e Kostës, thithja e fundit e shushunjës.

Shqipëroi: Sokol Çunga

(© i shqipërimit: Sokol Çunga)

Vasilis Vasilikos u lind në Kavallë më 18 Nëntor 1934. Pas diplomimit për drejtësi në Universitetin e Selanikut studioi për skenografi në Universitetin e Jellit (Yale University), Nju Jork. Vepra e tij shtrihet në rreth nëntëdhjetë tituj librash që prekin pothuajse të gjitha gjinitë e letërsisë: tregimin, romanin, novelën, poezinë, letërsinë dokumentare, teatrin dhe kronikën.  Proza e tij shpesh është nderuar me çmime të para, si në Greqi, ashtu dhe jashtë saj. Ndër titujt më të njohur, të përkthyer dhe në rreth 33 gjuhë të globit, përmendim: “Fotografitë” (1964), “Z (çështja Lambraqi)” (1966), “Kafene Emingrek” (1972), “Mjeku ligjor” (1976), “K (çështja Koskota” (1992), “Maja” (1993), pjesën teatrale “Kujtesa rikthehet me sandale të reja” (2000), etj. Mirëpritja e librave të Vasilikosit nga lexuesi Grek, por edhe nga ai Europian (është shkrimtari grek më i përkthyer, pas Kazanxaqisit), tregon se lexuesit kanë ditur të shquajnë mesazhin e rëndësishëm që jep Vasilikosi si shkrimtar: të ruajmë kujtesën e përbashkët, dinjitetin e njeriut të shekullit të njëzetë, përtej kufijve kombëtarë e dallimeve shoqërore.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s