Kostas Varnalis – Natyra dhe Arti (ese)

Kostas Varnalis

NATYRA DHE ARTI*

Cila është marrëdhënia mes natyrës dhe artit? Filozofët e rinj dhe të vjetër, artistë e kritikë, kanë besuar se arti është “imitim” i natyrës (Platoni, Aristoteli), ose, siç thotë Hamleti, “pasqyrë e natyrës”. Nëpërmjet historisë së artit është e lehtë të shohim se çdo shkollë artistike shpall kryengritjen e saj kundër së shkuarës me parullën “kthim në natyrë”. Por, meqenëse të gjitha shkollat kanë të njëjtën parullë, si shpjegohet që s’bien dakord, por përkundrazi, shkollat e reja, nëpërmjet dhunës, zëvendësojnë sundimin e më të vjetrave? Sepse çdonjëra ka një koncept të ndryshëm për natyrën dhe zotëron mjete teknike të ndryshme për të shfaqur vetveten. Romantikët, natyralistët, realistët kërkojnë gjithmonë të riprodhojnë natyrën (dhe brenda fjalës natyrë përfshihet përgjithësisht e gjithë jeta dhe njeriu) ashtu siç është, qoftë e bukur apo e shëmtuar – por parapëlqejnë të shëmtuarën. Ndërsa klasikët, kërkojnë gjithmonë të riprodhojnë natyrën ashtu siç duhej të ishte, domethënë e idealizojnë, dhe ky është shkaku që kufizohen brenda asaj që quajnë natyrisht (ose etikisht) të bukur.

Por, menjëherë pas kësaj, ndodh një kundërshti mes së bukurës natyrore dhe së bukurës artistike. Sepse, ndërsa shohim një numër të madh shkollash, vërejmë se ajo që përgjithësisht merret si natyrisht (ose etikisht) e shëmtuar, bëhet artistikisht e bukur. Cila, atëherë, nga këto dy të bukura (e bukura e natyrës dhe e bukura e artit) është më e lartë? Kjo pyetje nuk ka kuptim për atë që është futur thellë në këtë temë. Sepse, që mes dy sendesh, njëri të jetë më i lartë e tjetri më i ulët, duhet që ata të jenë të së njëjtës cilësi; ndërsa arti dhe natyra janë realitete të cilësive të ndryshme, pra janë realitete të pakrahasueshme.

Megjithatë, ka filozofë, artistë, kritikë arti, të cilët me fanatizëm i përgjigjen kësaj pyetjeje. Artistët përgjigjen se ajo që është artistikisht e bukur është më e larta. “Perëndia krijoi botën, por artistët janë ata që e ndreqin” (Wilde). Mirëpo, disa filozofë dhe kritikë arti japin përgjigje të kundërt. Këta janë idealistët dhe të dashuruarit pas misticizmit. P.sh. Platoni përbuzte edhe natyrën, edhe artin, por natyrën e shihte si më pranë së vërtetës së “qenies”, më pranë “idesë”. Arti na largon nga ideja më shumë se natyra. Raskin, kritik i madh arti, por dhe dashurues i natyrës, e thotë qartë se natyra është më e lartë se arti; ajo që na pëlqen në art është përpjekja e ankthshme e njeriut të arrijë ta shprehë atë me veprën e tij. Brenda në këtë përpjekje ekziston “adhurimi i sendit të dashur”, dhe kjo përbën vetë thelbin e ngashërimit që na buron nga ndjenja e së bukurës.

E megjithatë, siç thamë, të dyja këto të bukura janë të pakrahasueshme mes tyre. S’na duhet shumë teori për të gjetur pse-në. Nëse i referohemi përvojës dhe historisë së artit, do të shohim se realisht ndryshojnë, sepse: a) këto dy të bukura rrallë përputhen (në një farë mënyre, vetëm në artet klasike) dhe b) sepse natyra i jep artit lëndën e papërpunuar, të cilën, nëpërmjet teknikës, arti e shndërron për qëllimet e tij.

Ishte Aristoteli i pari që vuri re ndryshimin mes natyrës dhe artit (historia dhe poezia). E para na i jep gjërat siç ndodhën, e dyta siç u bënë. Më vonë, edhe Plutarku, me të drejtë vuri re se ajo që i intereson poezisë është imitimi, jo objekti i imitimit. Më vonë, Kanti konstatoi të njëjtën gjë: “E bukura artistike nuk është një send i bukur, por vetëm një projektim i bukur i një sendi”. Dhe Hegeli thotë: “Arti nuk është prodhim i natyrës, por krijesë e njeriut”. Megjithëse asnjë nga këta filozofë të mëdhenj nuk përcakton qartë arsyen e ndryshimit, s’është e vështirë ta përcaktojmë: është teknika. Teknika është krijim shoqëror dhe pranon të gjykohet sipas vlerës. Ndërsa natyra mund të përshkruhet dhe të shpjegohet shkencërisht, nuk mund të gjykohet sipas vlerave. Natyra nuk i bindet asnjë urdhri të estetikës dhe nuk është projektim i ndonjë forme fillestare.

Atëherë duhet të veçojmë: a) të bukurën natyrore nga e bukura artistike; b) ndjenjat që na provokojnë këto dy të bukura në kategori të ndryshme.

  1. Të gjithë ata që jetojnë në natyrë (çobani, rojtari i farit, bujku, kontrabandisti ose ushtari në kohë lufte) nuk shfaqin pothuajse asnjë reagim ndjenjësor përpara bukurisë ose madhështisë së natyrës. Thjesht e vëzhgojnë aq sa u hyn në punë, nëse do të bëjë kohë e mirë apo e keqe. Por edhe një zoolog, endomolog, etj., nuk ka asnjë interes ndjenjësor për natyrën; ka vetëm interes shkencor. Kështu, tërësia e natyrës, për ata që jetojnë në të, apo nevoja, që tek shkencëtarët mbizotëron shijimin e natyrës, e bën natyrën jo interesante për ndjenjat.
  2. Natyra mund të na japë ndjenjën e shëndetit shpirtëror dhe trupor nëpërmjet forcës së gjallërisë që provokon tek ata që rrallë dalin në natyrë. Kjo ndjenjë mund të arrijë deri në kufijtë e bashkimit tonë me gjithësinë. Por këto dy ndjesi (ndjenja e gjallërisë dhe ajo e bashkimit panteist me të gjitha qeniet) nuk lënë vend për vlerësim. Janë fenomene që i përkasin psikologjisë individuale, jo psikologjisë shoqërore.
  3. Shumë herë natyra na duket e bukur. Thërresim papritur: “Sa trëndafil i bukur!”, “Sa kalë i bukur!”, “Sa grua e bukur!”. Bëhet fjalë për qenie të gjalla. Në këtë rast ekziston një ndjenjë bukurie, por nuk është ndjenjë e pastër estetike; është pseudoestetike. Instiktivisht dhe në mënyrë të pandërgjegjshme i shquajmë si të bukura format e përkryera të një lloji, sepse janë më të përshtatshme për riprodhim. Por, meqenëse atyre u mungon teknika, janë qenie natyrisht të bukura, por nuk janë vepra arti.
  4. Ndodh që fenomenet ose sendet natyrore t’i shohim si vepra arti. Në këtë rast ndjenja jonë nuk është krejtësisht e zhveshur nga estetika, por është pseudoestetike. P.sh., një perëndim dielli, një lule, një nudo femre ose një papagall mund t’i shohim si tablo pikture ose si skulptura. Zakonisht këtej i kthejnë sytë artistët kur gjejnë “temën” e tyre. Por ky vizion, sado që, nëpërmjet fantazisë së artistit, sipas teknikës së tij, të shndërrohet në vepër arti, është thjesht pium desiderium. Nuk është vlerë e realizuar. Por, kur kemi përpara një kopsht si ai i Versajës, atëherë ndjenja që krijohet është ndjenjë e pastër estetike dhe pranon të gjykohet sipas vlerave. Sepse kopshti është krijuar nëpërmjet mendimit dhe teknikës, dhe kështu, është vepër arti. Arti i kopshtarisë, sikundër arkitektura, janë arte të bukura.

Pas gjithë këtyre, nëse kujtojmë se breza të tëra teknikash, qoftë industriale (dekorimi, poçaria, etj.), qoftë monumentale (arkitektura, muzika) nuk riprodhojnë shembuj natyrorë, atëherë jo vetëm do të mund të veçojmë të bukurën natyrore nga ajo artistike, por dhe do të bindemi se natyra nuk është burimi i vetëm i frymëzimit për artin. Kështu, teoria e “imitimit” dhe e “kthimit në natyrë” s’do të ketë asnjë farë kuptimi. Teknika është gjithçka. Dhe teknika është krijesë shoqërore. Dhe, siç në mënyrë të përmbledhur ka thënë dikush: “Historia e artit është histori e teknikës, jo e natyrës”.

Shqipëroi: Sokol Çunga

*[Botuar për herë të parë në gazetën “Drita”, 29 shkurt, 2004, f. 4.]

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s